Kisha & Besimi

Dëshmi besimi, shkruar nga Gëzime Aliu

Publikuar nga Korab Zhuja

Dashuri që s’i përngjan askujt!

Unë jetoj në Prishtinë, dhe studioj fakultetin juridik. Rrjedh nga një familje me traditë myslimane. Nuk isha edukuar në atë frymë që t’i kushtoja rëndësi fesë islame sepse shkolla duhet të ishte parësore në jetën time. Ashtu edhe ndodhi, isha njëra ndër nxënëset më të mira, dhe e përfaqësoja shkollën nëpër radio dhe nëpër seminare të ndryshme.

Mbasi mbarova shkollën e mesme pata provimin për t’u pranuar në fakultet. Për mua ishte shumë me rëndësi dhe doja me çdo kusht ta jepja provimin, mbi të gjitha që të ishte babai im i kënaqur me mua. Dhe një natë përpara provimit rashë në gjunjë dhe thash: Zot nëse ti vërtet ekziston unë do ta jap këtë provim. Ndodhi që unë kalova dhe u pranova në fakultet. Nuk kam ditur çka të thosha në ato momente, por e di se kam thënë “Zot faleminderit”.

Dy muaj më vonë takova një vajzë me të cilën biseduam dhe ajo me ftoi të shkoja në një takim për studentë. Ajo më pëlqeu shumë, nuk e di pse, por ajo ishte ndryshe. Atë ditë shkova në takim dhe tema ishte ”Dashuria”. U mahnita sepse nuk ngjante aspak me atë dashurinë që unë po mendoja. Pas takimit shkova në shtëpi dhe mendova shumë gjatë sa që nuk më zinte gjumi.

Pas dyditësh atë e ftova për kafe dhe më bënin përshtypje shumë gjëra: dashuria e saj, kujdesi, respekti, e shumë të tjera. Aty filluam të flasim më shumë për Zotin, për dashurinë e tij për ne.

Aty e kuptova se mua më mungonin këto gjëra e që në fakt kisha shumë nevojë. Ajo po e lexonte një broshurë bashkë me mua dhe për një moment u ndalem aty. Ishte një lutje. Ishte një lutje pendimi. Ajo më pyeti se a e shpreh kjo lutje dëshirën e zemrës tënde? Unë i thash po. Dhe në atë moment më ranë lotët.Zemra ime filloi të lirohej, ndjeja kënaqësi, paqe, dashuri. Shkova në shtëpi dhe iu tregova se e kisha pranuar Jezusin në jetën time. Babai më tha “je çmend” dhe se “ke nevojë për psikiatër”. Ai më porositi pastaj “vazhdo me fakultetin dhe mos të dëgjoj më këso gjërash”.

Shkova në dhomë dhe kam qëndruar zgjuar gjatë tërë natës. Në mëngjes shkova në një takim të lutjes dhe përgjatë gjithë takimit qaja. Ata ishin lot gëzimi.Këtu filloi jeta ime e re.Atë gjë që unë kisha nevojë, qe nuk e kisha përjetuar asnjëherë Zoti e bëri në mua dhe më mbushi. Vërtet ne kërkojmë mbështetje, përkrahje nga njerëzit, por është vetëm Jezus Krishti Ai që e plotëson dhe na mbush.

Burimi: Letra e Gjallë (revist)

Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento