Kur i referohemi Biblës si libër i frymëzuar, i referohemi faktit se Perëndia në mënyrë hyjnore kishte influencuar mbi autorët njerëzorë në atë masë që ata të shkruajnë Fjalën e Perëndisë.
Shtrirja e frymëzimit
Në 2 Timoteut 3:16, 17, Fjala e Zotit, Bibla,dëshmon për vetën e saj si është e frymëzuar nga Perëndia. Termi “frymëzim” (theopneustos) në shkrimin origjinal, pra, në gjuhën greke, kur përkthehet paraqitet si një togfjalësh që tekstualisht do të thotë “Perëndia fryu”. Aty ku Bibla pohon të jetë e frymëzuar, ne e kuptojmë sikur të ketë dalë nga vetë goja e Perëndisë.
Sot fjala “frymëzim” e ka humbur fuqinë e saj të plotë dhe një mori domethëniesh janë ndërtuar rreth saj. Çdo poet ose kompozitor thotë se ishte “frymëzuar” që të shkruajë. Përveç kësaj edhe për atletët thuhet se kanë treguar performanca “frymëzuese”. Kjo fjalë gjithashtu është përdor në kontekst të mendjes ose emocioneve, deri tek një nivel i lartë i ndjenjave ose i aktiviteteve.
Por, në kontekstin biblik, Perëndia Frymë e Shenjtë influencoi autorët për të regjistruar atë që Perëndia e kishte thënë. Në 1 Korintasve 14:37, Pali shkruan: “Gjërat që po ju shkruaj janë urdhëresa të Perëndisë”. Pali ishte i vetëdijshëm se ishte sikur një laps në dorën e Perëndisë së Gjithë pushtetshëm. Jeremia dëshmon se “Perëndia ia vendosi fjalët në gojën e tij” (Jeremia 1:9). Por, Bibla nuk është fjalë e Jeremisë, e Palit, e Pjetrit etj., sepse ata nuk ishin reporterë okularë të lajmeve të cilët japin interpretime personale të ngjarjeve, dhe as që ishin sekretarë që të shkruanin gjithçka që Perëndia u diktonte, por, siç paraqitet tek 2 e Pjetri 1:20, 21; “…njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë”. Megjithatë, asnjëra prej këtyre përshkrimeve nuk përputhet saktësisht me konceptin biblik. Fjala “Perëndia fryu” është shprehje e konceptit të “nxjerrjes së frymës” nga ana e Perëndisë. Është vënie e theksit mbi atë se Shkrimi nuk është diçka mbi të cilin kishte fryrë Perëndia; por përkundrazi, Bibla kishte dalë jashtë gojës së Perëndisë.
Përkufizimi i frymëzimit
Frymëzimi duhet përkufizuar me kujdes të shtuar, sepse siç u theksua më lartë, kuptimi i saj mund të ndryshojë varësisht prej botëkuptimeve të njerëzve në botë. Disa e kanë përkufizuar “frymëzimin” si mbikëqyrje e Perëndisë ndaj autorëve njerëzorë të Shkrimit në mënyrë që ata duke e përdorur personalitetin e tyre individual – e kanë hartuar dhe regjistruar pa gabime zbulesën e Tij dhënë njeriut me fjalët e shkruesve të parë”. Kur i referohemi marrëdhënies udhërrëfyese që Perëndia kishte me autorët njerëzorë, mbikëqyrja gjithmonë ka qenë e përfshirë në mënyrë që Fryma e Perëndisë ta garantojë saktësinë e gjërave të shkruara. Ata ishin të përfshirë në mënyrë aktive duke përdorur personalitet, prapavitë dhe punët e Perëndisë në jetët e tyre.
Për dallim nga pretendimet e besimeve myslimane kur supozohet se Kurani ishte diktuar nga Qielli në gjuhën arabe, librat e Biblës zbulojnë një tjetër kontrast në stilin dhe gjuhën e përdorur si dëshmi se autorët nuk ishin disa robotë automatikë. Por, ka edhe të tilla raste, siç është ai në Eksodin 20:1, ku lexojmë: “Perëndia i foli të gjitha këto fjalë”.
Frymëzimi i Biblës është influenca e mbinatyrshme mbi autorë të shenjtë nga Fryma e Perëndisë, për arsyeje të së cilit shkrimeve të tyre u jepet besueshmëria e plotë hyjnore. Ai është mbikëqyrje e Perëndisë Frymë e Shenjtë mbi autorët dhe rrjedhimisht, Bibla përmban autoritet dhe vërtetësi hyjnore, dhe si e këtillë është e liruar nga çdo gabim ose lëshim.
Pagabueshmëria e Shkrimeve është dëshmi se Bibla është vetë Fjala e Perëndisë dhe kjo është e vërteta (Shih Gjoni 17:17; Psalmi 119:160). Pagabueshmëria e Biblës përfshin pamundësinë për ndonjë gabim doktrinar, faktik ose etik. Me tjera fjalë, çdo deklaratë e Biblës është e vërtetë, pavarësisht nëse Shkrimi është duke folur rreth asaj që duhet besuar (doktrinës) ose mënyrës së të jetuarit (etikës).
Prandaj, frymëzimi i Fjalës së Perëndisë është influenca e Frymës së Shenjtë në mënyrë të mbinatyrshme mbi shkrimtarë të Shkrimit të Shenjtë që në mënyrë të saktë ta shkruajnë zbulesën, duke e kompletuar kështu Fjalën e Perëndisë.
Çfarë është Fjala e frymëzuar e Perëndisë
Kisha Protestante për dallim nga Kisha Katolike Romane i ka pranuar si Shkrim të Shenjtë 66 libra të Biblës. Koleksioni i disa shkrimeve të lashta hebreje kryesisht i njohur si apokrifa (latinisht: librat e fshehur), janë refuzuar nga Kisha Protestante dhe tradita hebreje si libra të frymëzuar në mënyrë hyjnore. Në mesin e arsyeve, tri mbesin kryesoret pse Kisha Protestante nuk i pranon këto libra si Fjalë të frymëzuar të Perëndisë:
– Ato nuk janë përdorur nga Jezusi dhe as nga kisha e hershme;
– Ato kurrë nuk ishin cituar si Shkrim i Shenjtë, sepse kurrë nuk i kishin takuar Kanonit hebraik të Shkrimeve të Shenjta;
– Ato nuk ishin shpallur si autoritative deri në Koncilin e Trentës më 1456 pas Krishtit.
Përmbyllje
Mësimi i Biblës në origjinalin e saj ka qenë i pagabueshëm, pa lëshime, dhe rrjedhimisht autoritativ, dhe si i tillë ka qenë faktor madhor në teologjinë krishtere, etikën dhe interpretimin e përvojës krishtere. Ky mësim i krishterë ka qenë ndoshta më përcaktues se asnjë tjetër në kontekst të formulimit të besimit të krishterë.
Prova më e fuqishme e frymëzimit të Biblës është dëshmia e Jezus Krishtit. Fakti se ai i përdori argumentet e Tij duke i formuluar fjalët në mënyrë precize në pajtim me Fjalën e Perëndisë dëshmon për pikëpamjen e tij të lartë për Shkrimet.
Për arsye se Perëndia është gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm dhe krejtësisht i përkryer, natyrisht se edhe Fjala e Tij do t’i ketë po të njëjta atribute. Bibla është libri më i shitur i të gjitha kohërave. Mbi 2.5 miliardë kopje janë shtypur nga viti 1816 dhe është përkthyer në mbi 2000 gjuhë të botës. Fakti që Bibla është një përmbledhje e 66 librave të ndryshëm, të shkruar nga më se 40 autorë të ndryshëm; përgjatë periudhave të ndryshme kohore prej më tepër se 1600 vjet, përbën dëshmi të pamohueshme për autenticitetin e saj. Uniteti fondamental dhe jetëgjatësia historike janë provë në vete. Sot, Bibla mbetet udhërrëfyes për stilet jetësore të miliona njerëzve përgjatë rruzullit tokësor!
Shkruan: Driton Krasniqi (Pastor) Bashkësia e Zotit Jezus, Gjakovë
Burimi: Letra e Gjallë (revist)