Kisha & Besimi

Një Dishepull i Guximshëm

Publikuar nga Korab Zhuja

Duhet më shumë kurajo që të jesh i drejtë, sesa për çdo gjë tjetër. Sigurisht, që duhet shumë guxim nga dishepujt, për të qëndruar në mes të kësaj atmosfere ekumenike, ku çdo gjë po bëhet kishë dhe ku neopentakostalët po bashkohen me të tjerët, për të hedhur poshtë doktrinat e vërteta të Perëndisë. Tani, kjo është e barabartë me një hir që kushton lirë. Dishepujt e guximshëm duhet të qëndrojnë kundra kësaj. Hiri i lirë është shitur në pazar, ashtu siç edhe xhaketat e lira. Sakramentet, falja e mëkateve, pagëzimi dhe ngushëllimi i besimit, janë hedhur tek çmimet e lira.

Kisha moderne predikon një Parajsë pa ferr, një Bashkësi pa disiplinë, një anëtarësi kishe pa fryte drejtësie dhe kur kapet në rrjedhën e këtij hiri që kushton lirë, kisha refuzon të shpallë këshillën e Perëndisë, nga frika se mos ofendon ata shpirtra botë-dashës, të cilët ia ulën vlerën hirit. Ata njerëz do t‟i japin hije kishës mëngjesin e së dielës, duke shpallur se janë dishepuj të Perëndisë, ndërkohë, që të hënën do të jetojnë si djalli. Tani, është kjo që ti dhe unë duhet t‟i qëndrojmë. Kisha duhet t‟u thotë njerëzve: “Ju s‟mund të jetoni si djalli dhe ndërkohë Perëndia të punojë me ju”. Dishepujt nuk kishin frikë për të ngritur zërat e tyre kundër një talljeje të tillë. Përkushtimi i tyre nuk ishte ndaj suksesit, por ishte ndaj Jezus Krishtit.

Hiri paraqitet si një thesar i pashtershëm i kishës, nëpërmjet të cilit ajo tregon bekime pa pyetur apo pa vendosur kufij. Ne guxojmë që të printojmë libra dhe t‟i quajmë ato Bibla, kur përmbajnë vetëm premtimet e Perëndisë. Asnjë njeri nuk ka të drejtë që të shpallë një premtim të Perëndisë, kur ai premtim është nxjerrë jashtë nga konteksti. Për shembull, tek Eksodi 15:26 ju keni: “…sepse unë jam Zoti që të shëron”, por Perëndia nuk është Zoti i një njeriu apo shëruesi i tij, nëse ai nuk i bindet pjesës së parë të vargut. Ai tha: “…Në qoftë se ti dëgjon me vëmendje zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e tij dhe dëgjon urdhërimet e tij dhe respekton tërë ligjet e tij, unë nuk do të jap asnjë nga ato sëmundje që u kam dhënë Egjiptasve, sepse unë jam Zoti që të shëron”.

Ti nuk duhet të citosh vetëm pjesën e fundit të vargut. Duhet ta citosh të tërë këtë varg. Nëse nuk i bindesh Perëndisë, Ai nuk është Zoti yt dhe Ai nuk do të të shërojë. Hiri që kushton lirë nuk vendos kufij; ai nuk vendos përgjegjësi dhe bindje mbi besimtarin. Është thënë: “Vetëm eja dhe prano Jezusin si Shpëtimtar, dhe më pas jeto si të të pëlqejë”. Për këta njerëz, Zotërimi i Krishtit është alternativ. Disa supozojnë se thelbi i hirit është, se çmimi është paguar më përpara; dhe për shkak se është paguar, çdo gjë mund të merret lehtë. Ky është mesazhi që po dëgjohet në këtë orë. Hiri që kushton lirë, si një doktrinë ose parim, e ofron faljen e mëkatit si një të vërtetë të përgjithshme. Jezusi tha, se dashuria e Perëndisë është më shumë sesa kjo gjë me dy kuptime, për të cilën bota flet. “Nëse ju më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Kjo është dashuri.

Thelbi i vërtetë i idhujtarisë është të imagjinosh (ndarazi nga Fjala e vërtetë e Perëndisë), se çfarë është Perëndia dhe pastaj të mendosh në mënyrë të tillë. Një theksim intelektual për këtë presupozim njerëzor qëndron tek gjithçka e nevojshme për të siguruar faljen e mëkatit. Në një mësim të tillë, bota gjen një mbulesë që kushton lirë për mëkatin e saj. Një njeri mund të predikojë thuajse kundër çdo lloj gjëje dhe publiku do ta përkrahë atë; por lëreni atë të flasë kundra fesë së rreme dhe do të ketë një protestë. Unë jam hequr nga stacionet televizive, disa prej tyre stacione fetare, sepse unë u mora me këtë të vërtetë: Perëndia nuk e lejon përzierjen. Ju nuk mund ta përzieni lëvizjen pentakostale me atë romane dhe të prisni që Perëndia t‟ju buzëqeshë”. Gjoni tha: “Perëndia urren çdo rrugë të rreme”.

Kur ju flisni kundër feve të rreme, ju po merreni me “viçin e shenjtë” të botës dhe nëse ju do të predikoni kundër kësaj, ju do ta gjeni veten në opozitë. Ju mund të predikoni kundër homoseksualitetit dhe shumë njerëz do të bashkohen me ju. Gjithsesi lëreni të njëjtin njeri të flasë kundër fesë së rreme dhe ai do të jetë një njeri i vetmuar në qytet. Sipas predikimit të sotëm, çdokush supozohet se ka lindur sërish. Disa deklarojnë, se në Amerikë ka 60 milion besimtarë të rilindur. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, përse ne ndodhemi në këtë situatë? Mund të jenë 60 milion njerëz që shkojnë në kishë një herë në muaj, por të jesh i rilindur është tërësisht diçka tjetër. Një besimtar i rilindur është një forcë vitale në këtë tokë. Ai është një krijesë e re. Krishti është në atë person. Ju nuk mund të keni 60 milion njerëz në një komb të mbushur me Krishtin pa parë një kundërshtim kundrejt së keqes. E vërteta është se shoqëria ka shkuar në ferr, në dy apo tre dekadat e fundit, më shpejt se çdo herë tjetër në histori. Ndërkohë që ne kemi më shumë fe sesa kemi pasur ndonjëherë më parë.
Sipas një vëzhgimi të “Reader Digest”, një në çdo dhjetë njerëz është bërë homoseksual ose, më së fundmi, një biseksual, në njëzetë vitet e fundit. Në të njëjtën kohë, ne jemi të bombarduar nga fetë. Ka më shumë transmetime fetare në javë në qytetin e Los Angeles, se çdo vend në tokë ka në gjashtë muaj. Kudo ka letërsi të krishterë që shpërndahet, transmetime radioje, televizion dhe ende nuk ka një ndalim të së keqes. Pesëdhjetë e tre përqind e gjithë martesave përfundojnë në divorc. Ne abortojmë dy milion bebe në një vit. Përdorimi i drogës ka hyrë deri në shkollat fillore. Krimi i dhunshëm është duke u rritur dhe epoka e të ofenduarit po mbaron gjithnjë e më shumë. Demoniakët ecin me krekosje rrugëve tona. Ka ardhur koha që të merremi me keqbërësin dhe ky keqbërës është vetë feja.

Nëse ne duam të shikojmë ringjallje, atëherë ne duhet të qëndrojmë në të vërtetën. Të qëndrosh për të vërtetën, automatikisht më vendos mua kundër gënjeshtrës që i mundëson botës një mbulesë të lirë për mëkatin e saj, një gënjeshtër që ofron një shpëtim pa pendesë dhe jo dëshirën e vërtetë për t`u çliruar nga mëkati. Unë njoh predikues të cilët pijnë alkool. Për ta nuk ka asgjë të gabuar me të pirët. “Ne që jemi të vdekur për mëkatin si do të jetojmë akoma në të? Perëndia mos e dhëntë!”. Kur ju flisni kundër një sjelljeje të tillë, ju zbuloni që ky nuk është mesazhi më popullor. Turmat nuk do të vrapojnë për të dëgjuar një predikim të tillë. Kur ju e vendosni kryqin në vendin që i përket, turmat fillojnë të rrallohen. Por, nëse ne duam të shohim të fuqinë e Zotit të veprojë në jetët tona, derisa çlirimi të vijë, ne duhet të kthehemi tek Bibla.

Ju nuk mund të jetoni si djalli dhe të pretendoni, që Perëndia të punojë me ju. Hiri që kushton lirë, është i barabartë me një mohim të Fjalës së gjallë të Perëndisë, me një mohim të mishërimit të Krishtit. Hiri që kushton lirë ofron shfajësim të mëkatit, pa e shfajësuar mëkatarin. Hiri që kushton lirë, nuk është lloji i faljes së mëkatit, i cili na çliron nga barra e mëkatit. Krahaso veten me ata që deklarojnë se janë të shpenguar me anë të hirit të Perëndisë. A ka ndryshuar ndonjë gjë në atë jetë? Një besim që nuk ndryshon asgjë tek një njeri, s‟ka asnjë vlerë për Perëndinë. Vetëm Fjala e Perëndisë është aq e mprehtë, sa të depërtojë përmes shpirtit dhe të prekë frymën. “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Hebrenjtë 4:12).

Hiri që kushton lirë, është duke predikuar falje pa pendesë. Shumë veta thonë: “Vetëm prano Jezusin si Shpëtimtarin tënd personal”; por ju duhet të kuptoni, se aty nuk ka falje pa pendesë. Ju duhet të ktheheni nga ajo që ju jeni për tek Krishti. Kur Gjon Pagëzori erdhi duke predikuar mesazhin e tij të pendesës, ai e ktheu shtratin e Lumit Jordan në rrugën kryesore të botës. Njerëz erdhën nga çdo vend me pyetjen: “Çfarë duhet të bëjmë që të shpëtohemi?”. Gjon Pagëzori nuk i kurseu fjalët. Ushtarëve ai u tha: “Mos i bëni shantazh asnjeriu dhe kënaquni me rrogën tuaj”. Tagrambledhësve Gjoni u tha: “Mos vilni më shumë se ç‟ju është urdhëruar”. Fetarëve, Gjoni u tha: “Pjellë nepërkash kush ju ka mësuar t‟i arratiseni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, fryte të denja pendimi” (Luka 3:7). Mbreti Herod, i ulur në karrocën e tij të larë në ar, duke dëgjuar për këtë njeri të egër që vinte nga shkretëtira, bëri pyetjen: “Po për mbretin?”. Gjoni e mbushi armën e tij me breshëri të Ungjillit me Urdhërimin e 7-të dhe ia zbrazi Herodit: “Nuk është e ligjshme për ty të marrësh gruan e vëllait tënd”. Kjo i kushtoi jetën Gjonit. Duhet guxim për të qenë një dishepull. Ai duhet të jetë gati t‟u japë njerëzve një përgjigje dhe kjo përgjigje duhet të jetë Fjala e Perëndisë.

Ndërsa krishtërimi u përhap në ato ditë të hershme, kisha u konformua më shumë dhe më shumë me botën. Realizimi i kufirit të hirit të Perëndisë u venit dhe u zhduk. Bota u bë “e Kristianizuar” dhe hiri u bë një pronë e zakonshme. Kur Reformimi erdhi, Perëndia e ngriti Martin Lutherin-in për të restauruar Ungjillin e hirit të pastër. Ai ishte një murg, por gjithçka ishte në planin e Perëndisë. Perëndisë i duhej që ta mësonte atë. Ai ishte një pjesë e një sistemi. Ai braktisi gjithçka për të ndjekur Krishtin, por Perëndia i tronditi shpresat e tij. Ai i tregoi Lutherit, se të ndjekësh Krishtin nuk është një arritje apo meritë e pak të zgjedhurve, por është urdhërimi hyjnor për të gjithë të krishterët, pa dallime. Është urdhërimi i Perëndisë që çdo burrë, çdo grua, që është lindur sërish prej Perëndisë, të ndjekë Krishtin. Përpjekja e Luther-it për t‟u larguar nga bota, doli se ishte një formë e padallueshme dashurie e botës. I mbyllur në manastir, ai zbuloi se manastiri ishte aktualisht vetë bota, e fshehur në një formë tjetër. Luther-i, duke parë të shkatërrohej para syve të tij bota e katolicizmit, u kap fort pas hirit. Hiri që dha veten e vet për të, ishte një hir i kushtueshëm. Ai e tronditi të gjithë ekzistencën e tij. Urdhërimi i Jezusit duhet të njihet nga bindja e përsosur në thirrjen dhe jetën e përditshme të një njeriu. Plani i Perëndisë për ne, nuk është që t‟i fshihemi botës dhe t‟i nënshtrohemi riteve të fesë. Ju, në rrugën kryesore të jetës, përballeni me njerëz të perëndishëm dhe të shenjtë, që jetojnë në mes të këtij brezi të mbrapshtë dhe të prishur.

Krishtërimi nuk është një gjë e mjedisit, është diçka brenda tij. Në rrugën kryesore të jetës, ne duhet të tregojmë këtë jetë të krishterë. Konflikti midis jetës së një të krishteri dhe jetës së botës, është i dukshëm dhe i pashmangshëm. Është një konflikt i vazhdueshëm midis Krishtit dhe botës, të cilët janë tërësisht të papajtueshëm. Tani, si në ditët e Luther-it, doktrina e shfajësimit të mëkatarit ka degjeneruar në botë në pranimin e shfajësimit të mëkatit dhe të botës. E trishtueshme për t‟u thënë, por bota pentakostale ka rënë në të njëjtin kurth. Njerëzit e rrëfejnë Krishtin dhe vazhdojnë të jetojnë si zakonisht. Njerëzit tani shpëtohen me anë të një formule, me anë të një dhënie dore, apo me anë të pagëzimit. Tani ne kemi një Pentakost pa Kalvar. Njerëz, të cilët nuk janë rilindur kurrë, flasin në gjuhë të reja. Përpara se Perëndia të shprehet tek ai, dikush i mëson ata se çfarë të thonë; kjo është, e them me trishtim, praktika më popullore sot. Nëse ne duam të jemi dishepuj të Zotit, atëherë ne duhet të qëndrojmë kundër rrymës. Ka më shumë në pagëzimin me Frymë të Shenjtë, sesa thjesht të flasësh në gjuhë të reja. Gjuhët e reja janë një rezultat i Frymës së Shenjtë. Ju mund të flisni në gjuhë të reja të bëra prej njeriut, pa Frymën e Shenjtë, por ju nuk mund të mbusheni me Frymën e Shenjtë të vërtetë, pa folur në gjuhë të reja. Mrekullia nuk është se unë flas në gjuhë të reja; mrekullia është, se Perëndia më ka dhënë diçka për të thënë. “…dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin” (Veprat 2:4). Treguesi i një dishepulli është guximi, guximi për të qëndruar në bindjen e dikujt; dhe kjo bindje duhet të jetë, që ne ta flasim të vërtetën ashtu siç është në Jezusin dhe ta jetojmë këtë të vërtetë në të gjithë kohërat.

Guximi është treguesi i vërtetë i një dishepulli. Sa nevojë kemi që ta dëgjojmë këtë! Ne nuk jemi këtu për të pasur të kthyer. Ne jemi këtu për të bërë dishepuj. Ne jemi këtu për të shkuar kudo nëpër botë, të dishepullizojmë kombet dhe të bëjmë dishepuj. Ju mund të bëni të kthyer, por një dishepull është një mësues. Ai mëson; dhe më pas, ai e vë në praktikë atë që mëson. Nuk është diçka e mendjes; është diçka e zemrës. Ai, jo vetëm që e njeh shenjtërinë prej Fjalës së Perëndisë, por ai e jeton shenjtërinë në botë. Ai e njeh të vërtetën dhe qëndron për të vërtetën. Duhet guxim i madh për ta bërë këtë. Për botën, qenie të tilla njerëzore janë të falimentuara. Ky është problemi i madh. Nuk ekziston një model real atje, që të tregojë atë që Jezusi po përpiqet që të krijojë. Lëvizja ekumenike çdo gjë e ka bërë kishë; dhe në përpjekjen e tyre për unitet, ata e kanë zhveshur kishën nga gjithçka që është e vërtetë. Ata e kanë reduktuar kishën në atë që bota mund ta besojë dhe ta pranojë. Duke e lejuar një gjë të tillë, etika është shkatërruar në kishë. Sot duket sikur çdo gjë konsiderohet si sjellje e krishterë. Sot, nevoja e madhe është për dishepuj të vërtetë, të cilët do të qëndrojnë me plot guxim për të predikuar Ungjillin pa frikë dhe favor, s‟ka rëndësi se cilat do të jenë pasojat; ata që nuk do të kenë frikë t‟u thonë herodëve të kësaj bote: “Nuk është e ligjshme për ty që të kesh gruan e vëllait tënd”. Ne kemi nevojë për dishepuj, të cilët nuk kanë frikë t‟i bëjnë ballë përzierjes fetare, pjesë e së cilës Perëndia nuk do të jetë.

Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento