Kisha & Besimi

Bamirësia

Bamiresia
Publikuar nga Korab Zhuja

Është njëra ndër shtatë virtytet e njeriut.

Bibla

Shumë e konsiderojnë si më e madhja. Disa e barazojnë me dashurinë. E quajnë parakusht për lumturinë e njeriut. Frytet e saj konsiderohen të jenë mëshira, paqja dhe gëzimi.

Përgjatë punës së këtij punimi lexova shumë lidhur me bamirësinë. Realisht mund të them që si fenomen nuk e kam trajtuar kaq intensivisht në të kaluarën time. Përspektiva të ndryshme dhe interesante. Eksperienca që ja vlente të lexoheshin dhe të bëheshin pjesë e botëkuptimeve të mia. Thënje të cilat ta ndalnin vrullin e punës që ti shijoje bukurinë e shpjegimeve të tyre që nxjerrin të vërtetat e thella.

Kishte edhe kritikë, shumë herë me vend. Shpesh kritikohej motivi i saj, që e konsideroj si kritikë me vend, sepse në dukje mund të mos shihet ndryshimi, por fryti i saj nuk ishte i njëjtë sikur ai me motivin e duhur. Tjera lidhet me pritshmëritë nga dhuruesi që mund ti ketë direkte ose jo. Poashtu ajo sjell dëme afat-gjata tek përfituesi nëse nuk shihet si përmbushje e nevojës aktuale me shpresën që të mësoj rrugëtimin e duhur që nevoja të përmbushet gjithnjë nga vet ai. Po përtej këtyre kritikave, kur ajo bëhet nga një zemër e pastër, po barazohet me fuqinë e dashurinë.
Bamirësia paraqet bukurinë e përfeksionit të shpirtit njerëzor. Aty edhe buron dëshira për të dhënë. Ndërsa reflekton natyrën hyjnore, demonstron dashurinë qiellore drejtuar njeriut. Shumë herë bamirësia shpjegohet si dashuria shpirtërore që zbret nga Krijuesi tek njeriu, dhe pastaj reflektohet përmes njeriut, i cili thuhet që është krijuar sipas imazhit të tij, e i cili përmes këtij reflektimi e kthen këtë dashuri prapë tek Krijuesi.

Bamirësia është sakrificë. Ajo i ngjason procesit të lindjes, e cila përcillet me një dhimbje sepse heq dorë nga diçka që të ka takuar ty duke e dhënë atë vullnetarisht dhe përfundon me një gëzim. Sa më e madhe dhimbja aq më e madhe është dhe bamirësia. Bota ka mjaft për nevojat e njeriut, por jo edhe për lakminë e tij.

Bamirësia lufton lakmin si sëmundje të egos. Pra sjell shërim shpirtëror tek njeriu. E afron atë me virtytet dhe vlerat hyjnore. Bamirësia mbjell paqe. Ajo hap dyer të cilat ndoshta edhe skemi qenë të vetdijshëm që janë pranë nesh, ndërton ura me njerëz që ndoshta nuk i kemi njohur më parë si të tillë, shëmb muret e paragjykimeve që mund t’i kemi në marrëdhënjet tona me njerëz.

Bamirësia sjell dritë. Sjell shpresën tek njeriu, tek humaniteti, tek komuniteti. Sjell dashurinë tek njerëzit që e humbasin atë, e ritregon dashurinë për ata që fillojnë ta harrojnë. Sjell siguri tek ai që ndihet i paaftë, që i druhet nevojës, që ndihet i huaj në këtë shoqëri.

Ndihem i bekuar që kam përjetuar diçka të tillë, edhe dhimbjen edhe gëzimin e saj, sado qoftë ajo. Uroj që secili prej nesh, me motivet e duhura të përqafojmë këtë mundësi sa herë që Perëndia na ofron sepse ne jemi ata që marrim dhe japim dashurinë, që është transakcioni më i rëndësishëm në këtë proces.

Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento