Edukimi & Arsimimi

Jeta e krishterë: e lehtë, e vështirë apo e pamundur?

Publikuar nga Korab Zhuja

Transformimi

E lehtë apo e vështirë?

Shumë njerëz akuzojnë të krishterët duke thënë, “feja juaj është shumë e lehtë. Ju nuk duhet të agjëroni, as nuk duhet të luteni 5 herë në ditë, etj.” Por pasi të hetojnë më thellë thelbin e parimeve të Biblës ose të jetojnë jetën e krishterë, njerëzit vërejnë që s’është e lehtë. Zbulojnë që Jezusi kërkon bindje të plotë prej dishepujve të tij!

Një shoku im hebre, pranoi Jezusin për Mesian e tij. Pas pak, familja e tij e akuzoi, “ti u bëre bashkë me Hitlerin!” Gjatë kësaj kohe, ai më tha, “Unë mendova që duke pranuar Jezusin, do të shpëtohesha prej ferrit por tash më duket që jeta ime është bërë një ferr.” Gjatë muajve të ardhshëm, ai mundoi me gjithë forcën e tij të ndiqte Jezusin duke pasur persekutim nga familja e tij.

Faktikisht, shumë të krishterë vazhdojnë jetën në këtë mënyrë duke munduar me gjithë forcën për t’u lutur, për të lexuar fjalën e Zotit, dhe që të mos shkurajohen nën presionin e familjes dhe vështirësitë e jetës. Kur të tjerët i shajnë, mundohen ta ndjekin shembullin e Jezusit dhe të veprojnë me dashuri dhe durim. Jeta e krishterë për ata si për shokun tim është shumë e vështirë.

Ai që punon fiton, a është e vërtetë?

Unë personalisht jam rritur me mentalitetin “you can do it” (në anglisht) ose “ti mundesh” në shqip. Mësuesit në shkollë më thanë “mëso dhe do të japësh provimin.” Trajnerët, “praktikoni dhe do të fitoni.” Mentaliteti ishte që me mjaft mundim dhe forcë, unë mund t’ia arrija çdo gjeje. Ky mentalitet ka shërbyer për të mirën time në shumë mënyrë; nuk kam qenë përtac dhe kam bërë më të mirën time.

Mirëpo, si rrjedhim i një mentalitet të tillë, shumë besimtarë mendojnë që me mjaft forcë e mjaft përpjekje, mund të përparojnë në jetën e krishterë. “Nëse ti këmbëngul, Zoti do të të shpërblejë!” “Ki më shumë besim dhe do të dalësh mbarë!” “Lutuni më shumë!” Kur i dëgjojmë ose mendojmë gjëra të tilla, duhet t’i bëjmë vetes pyetjet, a kërkon Zoti që unë të mundohem me gjithë energjitë që t’u bindem urdhërimeve të tij? Nëse punoj shumë për Zotin, a do të kem një marrëdhënie më të mirë me atë? Shpesh, ai që punon shumë duke menduar të fitojë afërsinë me Zotin e fortëson mishin e tij dhe nuk mëson të gjejë fuqinë në Zotin.

E vështirë apo e pamundur?

Vëllai im, në kohën që mbaronte studimet në një shkollë biblike, i tha profesorit një ditë, “Sa kam kuptuar që nuk duhet t’i bindem fjalës së Zotit!” Studentët e tjerë u çuditën, dhe e pyetën, ku e ke fjalën? Përgjigja e tij ishte: shumë njerëz nga fetë e tjera mësojnë ‘besimtari duhet t’i bindet Zotit’ dhe njerëzit përpiqen të bëhen më të fortë në besimin e tyre duke iu bindur Zotit. Pastaj, kur bëhen të krishterët, mendojnë, “Tash duhet t’i bindem Jezusit më shumë sesa kur s’isha i krishterë sepse Ai është Zoti i vërtetë.” Mirëpo, Jezusi na tregon që me forcat tona, nuk mund t’i bindemi atij! “Pa mua, nuk mund të bëni asgjë!” (Gjoni 15:5) Na duhet një mentalitet të ri!

Të krishterët e dinë që nuk është njeri që punon për shpëtimin e tij por është ai që i beson Zotit që i shfajëson të pabesët. Është po aq e vërtetë që Zoti do që ne t’i besojmë atij për rritjen tonë dhe jo vetëm të mundohemi me forcat tona. Fatkeqësisht, shumë të krishterë kurrë nuk arrijnë të kuptojnë këtë. Kur i luten Zotit për ndihmë për një punë janë duke thënë, “Unë vetë mund të bëjë 90% të kësaj por m.q.s. Zoti i Madh është në anën time, më shtyn edhe pak.” Për shumë veta, atyre u duhet një krizë frymërore që të kuptojnë që edhe pse mund të bëjnë shumë gjëra dhe t’i kryejnë shumë punët, jeta e krishterë nuk është njëra prej tyre.

Një i krishterë që punoi për disa vjet në Afrikë duke parë qindra njerëz që u kthyen tek Jezusi mori një sëmundje nervore dhe kaloi 2 vjet në spital në Kanada. Kjo sëmundje fillimisht e paralizoi. Pastaj për t’i mësuar trupin të ec përsëri, ai duhej të kalonte fazat që kalojnë bebet, së pari të ec zvarrë dhe pastaj të ngrihet në këmbë. Gjatë kësaj kohe, ai tha, “Tani kuptoj që Zoti është më i interesuar për atë që mund të bëjë në mua sesa atë që mund të bëjë nëpërmjet meje”.

Shumë libra psikologjie botohen që tregojnë që ti je një person i mirë dhe mund të bëhesh edhe më e mirë. A mendon ti që kur Jezusi jeton në ty, ai vetëm sa përmirëson ato pjesët e mira të karakterit tënd nga pak duke të bërë një person më të mirë? Jo, ai ka dëshirë të bëjë ty një ribërje ekstreme, e për më tepër që ti të arrish në pikën që thua “pa atë, nuk mund të bëj asgjë”! Pali nuk përpiqet t’i fsheh dobësitë e tij por ai thotë – kur jam i dobët, atëherë jam i fortë!

Jezusi merr shumë lavdi kur Ai bën të pamundurën tek ne. Nëse një person që është tip i butë, beson në Jezusin dhe me mundimin e vet bëhet pak më i butë, a i jepet lavdi Jezusit për këtë? Mbase jo! Ai mund të thotë, “prapë ia kam arritur diçka tjetër. Mirëpo, nëse një person i egër beson në Jezusin dhe Ai duke jetuar në atë person bën që ai të jetë edhe më i butë, ai do të thotë, “Kjo ka qenë Zoti se unë nuk mundesha ta ndryshoja veten time dhe të tjerët: “Qenka një mrekulli që ky paska ndryshuar kaq shumë!”

Shkruar nga: Joshua Miekley Kisha e Vëllezërve

Burimi: Letra e Gjallë (revist)


Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento