Edukimi & Arsimimi

E papërshtatshmja dhe i bezdisshmi

Publikuar nga Korab Zhuja

Lutja dhe lutësi

Pse më duket barrë të shkoj në një ditë lutjeje? Pse më duket humbje kur mendoj për një ditë të tërë në lutje dhe më kujtohen të gjitha gjerat që kam lënë pa bërë akoma që nga muaji i kaluar? Pse më duket e mërzitshme të kaloj një ditë në lutje, ose të paktën më e padobishme se sa të merrem me një gjë tjetër si shkrimi i letrës se lutjes ose përgjigja e disa emaileve?

Si është e mundur që mund të duket me më shumë vlerë të rrish gjithë natën zgjuar duke luajtur a duke kërcyer në një dasmë, por disi e panevojshme të rrish zgjuar për lutje deri në mëngjes? Për të fituar një shumë lekësh duket e lehtë të sakrifikosh një natë gjumë, por për t’u lutur pse u dashka të torturohemi pa gjumë?

Unë kam nxjerre ca vëzhgime për lutjen nga Luka 11:1-13. Sa herë jemi ndjerë sikur nuk dimë të lutemi kur e krahasojmë veten me disa të tjerë? I ke kërkuar Zotit seriozisht të të mësojë si të lutesh ashtu siç duhet? Jezusi duket se nuk befasohet nga kjo kërkesë. Duke mësuar mbi lutjen së pari Jezusi dha një shembull të thjeshtë por plot me parime themelore që kanë mbetur të paharrueshme për mijëra vjet: Ati ynë… emri … mbretëria… vullneti… në qiell dhe në tokë… buka e përditshme… fal si falim ne fajtoret ndaj nesh… jemi të dobët ndaj s’duam të dukemi trima për t’u provuar në tundime (Luka 11:2-4).

Jezusi ilustron natyrën e lutjes dhe domosdoshmërinë e lutjes me një histori nga jeta.

Për të na mësuar Jezusi na kërkon të përdorim pak imagjinatën tonë: “Një person, ja zëre se je ti, i shkon në shtëpi në mes të natës një shokut të vet t’i kërkojë një nder…” Imagjino këtë situatë: Një miku yt i çmuar, që ka bërë aq shumë për ty, sot ka ardhur i rraskapitur tek ti dhe pa ndihmën tënde ka marrë fund, por ja që sot ti nuk ke asnjë mundësi ta ndihmosh me forcat e tua.

Ai ka nevojë për një shumë parash që nuk është tepër e madhe por unë thjesht nuk kam mundësinë për ta ndihmuar në këtë kohë. Kjo veç është një kohë e kritike për të. Tani ai ka nevojë serioze dhe, në fakt disa të tjerë që nuk i ka aq shokë sa unë, tashme i kanë huazuar shumën relativisht të vogël të parave kurse unë, shoku i tij i ngushtë, nuk i gjej dot aq para? Unë do të mbetesha vërtet i turpëruar nëse nuk do të gjeja një zgjidhje për këtë. Problemi që kam unë është se më vjen turp t’i kërkoj këtij shokut tjetër një shumë të tillë, jo kushedi, duke nxjerrë në pah që unë jam aq “i varfër”. Personi në historinë ilustruese të Jezusit ishte tamam në një situatë të tillë kur duhet të bënte diçka nga halli, dhe ajo që duhet të bënte ishte e pakëndshme; duhej t’i lutej dikujt duke e vënë në siklet edhe këtë tjetrin. Ai duhej ta përulte vetën duke u bërë i bezdisshëm me komshiun apo bukëpjekësin e lagjes, apo shokun e shkollës siç është rasti im, duke i kërkuar një gjë pa të cilën do të turpërohej më keq.

Nuk mund të lutesh tamam nëse nuk ndjen “parehatësinë” e një nevoje që të ngre nga gjumi në mes të natës. Po ti vëlla a ke një hall që s’i bën dot derman pa i rënë në qafe dikujt tjetër duke treguar dobësinë tënde? Po ti motër e ndjen parehatësinë e ndonjë nevoje sot? A jeni në atë pikë kur e keni ndarë mendjen se duhet të bëheni të bezdisshëm me lutjen tuaj? Nëse jo, kam frike se kot shkon në kohën e lutjes.

Lutja është fryti i hallit. Për mendimin tim një person që nuk ka hall dhe vjen e të troket në derë në mes të natës është budalla. Lutja është një vepër që duhet të duket si vepër budallai me ndryshimin që është vepër e njeriut në hall. Në historinë e Jezusit hallexhiu e mori atë që deshi megjithëse ishte komplet e papërshtatshme ta ngrinte burrin e botës nga krevati. Në fakt Jezusi e thekson në maksimum papërshtatshmërinë e lutjes së hallexhiut. Duket sikur Jezusi do të nënvizojë që lutja duhet të jetë e papërshtatshme apo sikletuese për objektin e lutjes. Është interesante sa efektivitet ka papërshtatshmëria e kërkesës së nevojtarit në atë që sa më e papërshtatshme aq më efektive është. Në fakt sa më e papërshtatshme të jetë aq më shtrëngues është vendimi për t’i hequr qafe me plotësimin e kërkesës. Mendoj se lypsarët më efektivë janë ata më të paturpshmit që nuk të shqiten pa e marrë lekun. Ne mund të na pëlqejnë ata lypsaret që largohen kur u thua me mirësjellje “jo” por ata janë më budallenj se ata kokëfortët.

Jezusi duket se vlerëson si pozitive dhe madje të domosdoshme paturpësinë kokëfortë të përsëritjes së lutjes. Nëse je një lypës dhe e ke hallin aq të madh sa të dalësh për të lypur do të ishte budallallëk të përpiqesh të jesh i pabezdisshëm, sepse nga vetë përkufizimi lypja është bezdisëse. Nëse do vish për t’u lutur nga halli duke pranuar të bëhesh i bezdisshëm nuk ka kuptim të thuash do bëhem i bezdisshëm vetëm një herë. Ndoshta shumë lutje që bëhen vetëm një herë janë aq të parëndësishme sa nuk ia vlen të bëhesh i bezdisshëm as për herë të parë dhe një mësim i Jezusit këtu mund të jetë: Mos të të gënjejë mendja se do marrësh gjë duke ruajtur “dinjitetin” e të pabezdisshmit sepse të pabezdisshmit nuk janë lutës të vërtetë por vetëm aktorë dinjiteti. Lutësi i vërtetë është i bezdisshmi dhe lutësi fitimtar është i “bezdisshmi më kokëfortë dhe i paturpshëm” që nuk heq dorë nga përsëritja e lutjes se “papërshtatshme”.

Ju lutem mos më akuzoni mua për këtë zgjedhje të fjalëve për lutësin si “i bezdisshmi apo i paturpshëm” dhe për lutjen si “lypje” sepse kështu foli Jezusi në këtë histori. E vërteta është që nëse duam të mësojmë si të lutemi duhet të kuptojmë që lutja në vetvete është një vegël shtytëse siç është lypja e lypësve të paturpshëm me rezultat të provuar që nuk varet nga mirësia e personave që plotësojnë kërkesën e lypësit (Luka 11:8). Si zbatim të kësaj historie Jezusi na thotë një urdhërim: “Unë po ju them lypni dhe do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni dhe do t’ju hapet” (Luka 11:9-10).
Çfarë duhet më shumë se urdhërimi i mbretit për të qenë në lutje vazhdimisht? Nëse Mbreti i Universit na nxit të lutemi, madje na urdhëron, si mund të jetë lutja një gjë pa ndikim? Edhe sikur çdo gjë, duke përfshirë edhe lutjet, të ishte e përcaktuar nga fillimi, prapë s’do të kishte problem me lutjen time për të dërguar 50% të stafit shqiptar jashtë Shqipërisë si misionarë në të korrat botërore. Nëse Ai ka përcaktuar që unë të bëj këtë lutje dhe Ai gjithashtu ka përcaktuar edhe përgjigjen e lutjes, është njësoj si të kishte përcaktuar që unë të jetoj deri kur kjo të ndodhë që gjithashtu nënkupton që unë do të marr frymë deri në atë kohë. Kjo nuk përjashton faktin që unë kam pjesën time në marrjen e frymës çdo ditë deri në atë kohë. Kështu duket se Jezusi thotë mos u merrni me çështje përcaktimi, ti lutu dhe do të marrësh. Ai flet me autoritet absolut.

Për më tepër Jezusi vë në dukje që Perëndia është Ati ynë dhe mezi pret të na japë atë që është e mirë për ne (Luka 11:11-13) në kontrast me ngurrimin e burrit në historinë ilustruese. Përveç gatishmërisë theksohet edhe mundësia apo aftësia që Ai ka t’i përgjigjet çdo lutje duke thënë shprehimisht “kushdo që lyp… kërkon… troket do të marrë”. Jezusi këtu thekson që lutja do të plotësohet pa asnjë hije pasigurie. Ai gjithashtu na siguron që Zoti është më i mirë se çdo plotësues lutje kështu që garancia e plotësimit është në maksimum. Megjithatë dallohet një problem i parashikuar në këtë proces që e bën Jezusin të inkurajoje këmbënguljen. Është e rëndësishme të veçojmë në këtë pikë dallimin e një progresioni këmbëngulje në lutje që supozon që nuk do mjaftojë ta bësh kërkesën një herë apo dy (lypni, kërkoni, trokitni).

Ç’do të thotë kjo? Çfarë problemesh parashikon Jezusi që duket se nënkuptohen në thirrjen për këmbëngulje? Ai e dinte që do kishte “heshtje” në procesin e lutjes që do të kërkonte këmbëngulje të vështirë. Ai e dinte që nëse besimi ynë nuk do kishte këto deklarata të qarta të Tij mbi natyrën e Perëndisë dhe lutjes këto “heshtje” do të na dekurajonin deri në moslutje. Pra kot hyn në lutje ai që nuk beson se Perëndia është Ati ynë dhe i plotfuqishmi i gatshëm me dëshirë të plotësojë çdo kërkesë të fëmijëve të tij. Ai e dinte që përtacia jone shpirtërore do të vinte maskën e “nënshtrimit ndaj vullnetit të Zotit duke thënë se nuk është në vullnetin e Tij të na japë atë që po i kërkoj” dhe do të na bënte të pushonim lutjet duke mos marre atë që donim.

Pse Zoti, zgjedh të mos e plotësojë kërkesën me të parën? Çfarë arsyesh mund të ketë heshtja e Perëndisë? Çfarë nënkuptohet këtu, mundësia apo domosdoshmëria e “heshtjes” në procesin e lutjes? Heshtja e Perëndisë në veshët e lutësit e ilustruar nga mosngritja menjëherë e babait në shtrat me fëmijët, duhet të sigurojë një mundësi tjetër për një përpjekje më të madhe siç duket nga rritja e intensitetit të përpjekjes nga “pyet” tek “kërko” tek “trokit”. Mohimi në vend që të tulate ose asgjësojë dëshirën duhet të mobilizojë energjitë dhe të ripërtërijë pasion më të madh. Është si puna e dashurisë, kur vajza duket sikur nuk po ia var djaloshit, ai duhet të mbledh forca të reja për përpjekje më të mëdha, por nëse heq dore ai thjesht tregon se nuk është material “pushtuesi.”

Ndoshta në këmbëngulje lutësi tregon ç’material është ose bëhet materiali që duhet të jetë, por ky nuk ka pse të jete thjesht një proces trajnimi. Kur vajza nuk pranon propozimin me herën e parë nuk e ka me qëllimin që të forcojë këmbënguljen e djalit, por po tregon seriozitetin e çështjes sipas kuptimit të saj. Procesi i lutjes me dinamikat e tilla është pjesë e procesit serioz të shenjtërimit që përfshin procesin e rritjes se besimit dhe karakterit.Si rezultat i kësaj të vërtetë del se nëse akoma e dëshiron një gjë, nëse akoma ke hall, duhet vazhduar lypja, kërkimi dhe trokitja sepse lutësi ose do të marrë atë gjë, ose nuk do ta dojë më atë gjë (si rrjedhim halli do jete zgjidhur në mendje duke marrë mendjen e Krishtit dhe dëshirat e tij). Ne vetëm duhet të bëhemi aq të mençur sa të dallojmë nëse po i mbushim mendjen vetes që nuk e duam atë gjë, apo vërtet nuk e duam.

Sa e vështirë është të dimë në vetminë e zemrës sonë nëse vërtet e duam apo jo një gjë? Nëse nuk duhet ta duam atë gjë dhe Zoti e bën të qartë (jo duke mos e plotësuar me herën e parë apo të dytë, por nga fjala dhe vullneti i tij i shprehur në Fjalën e Tij) atëherë ne duhet të lutemi që të mos e duam atë gjë që Zoti të na japë dëshirat e zemrës sonë. Prandaj është e nevojshme që kur jemi në lutje të kemi edhe Fjalën e Perëndisë me vete, fizikisht një Bibël në dorë por edhe vargjet e ndryshme në mendje dhe në gojë gjatë lutjes.

E di që mund të duket punë e ngatërruar kjo çështja e heshtjes dhe e shqyrtimit të zemrës sonë, por fatmirësisht Zoti ka siguruar për këtë problem intelektual të shenjtërimit tonë. Në fund të pasazhit tonë tek Luka, Jezusi thotë: “Ati i shenjtë do t’ju japë Frymën e Shenjtë atyre që ia lypin” (Luka 11:13). Jezusi duke e ditur këtë vështirësi në lidhje me lutjen na mëson se ka edhe një element tjetër të rëndësishëm në jetën e lutësit, jeta e brenda-banuar dhe e mbushur me Frymën e Shenjte që arrihet me besim të shprehur me lutje për të pranuar drejtimin nga Fryma e Shenjte sipas vullnetit të tij.

Se sa e rëndësishme është që ne ta kemi Frymën e Perëndisë na e sqaron Pali tek Romakët 8:9, 26-27: “Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk e ka Frymën e Krishtit nuk është i tij…. Po ashtu, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët sipas Perëndisë.”

E. M. Bounds shkruan diku: “Përparimi deri në realizimin përfundimtar të punës së Perëndisë në këtë botë ka dy parime bazë – Aftësinë e Zotit për të dhënë si edhe aftësinë e njeriut për të kërkuar. Dështimi në secilën prej këtyre të dyjave është fatal për suksesin e punës së Perëndisë në tokë. … Por aftësia e Zotit për të bërë dhe për të dhënë nuk ka dështuar kurrë dhe nuk mund të dështojë; ndërsa aftësia e njeriut për të kërkuar mund të dështojë dhe shpesh dështon. Prandaj përparimi i ngadalshëm që po bëhet drejt arritjes së botës për Krishtin varet edhe nga kërkimi i kufizuar i njeriut. … Kisha në gjunjë do të sillte qiellin në tokë”.

Nëse realiteti i lutjes është ky atëherë ejani dhe ta bëjmë siç duhet këtë punë përcaktuese për Mbretërinë e Perëndisë.

Shkruar nga: Ylli Doçi, Instituti Jeta e Re, Tiranë

Burimi: Letra e Gjallë (revist)

Rreth Autorit

Korab Zhuja

Komento